Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 2:13-23

Mateu 2:13-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Si u nisën dijetarët, engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit e i tha: «Ngrihu, merre fëmijën e të ëmën, ik në Egjipt e rri atje derisa të të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë». Ai u ngrit, mori fëmijën dhe të ëmën e u nis nëpër natë për në Egjipt. Qëndroi atje derisa vdiq Herodi, që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti përmes profetit: nga Egjipti e thirra birin tim. Kur mori vesh se dijetarët e kishin mashtruar, Herodi u zemërua shumë dhe dërgoi të vrisnin në Betlehem e në mbarë atë krahinë të gjithë fëmijët meshkuj dy vjeç e poshtë, sipas kohës së saktë që kishte marrë vesh nga dijetarët. Atëherë u përmbush çfarë kishte thënë profeti Jeremi: u dëgjua një zë në Ramah, vajtim e gjëmë e madhe. Rakela vajton fëmijët e saj dhe nuk do që ta ngushëllojnë, sepse ata nuk janë më. Kur vdiq Herodi, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt e i tha: «Ngrihu, merr me vete fëmijën dhe të ëmën e nisu për në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur». Jozefi u ngrit, mori me vete fëmijën dhe të ëmën e u nis për në tokën e Izraelit. Por, pati frikë të shkojë atje kur mori vesh se në Jude sundonte Arkelau në vend të Herodit, atit të tij. I lajmëruar në ëndërr, shkoi në krahinën e Galilesë dhe u vendos në një qytet të quajtur Nazaret, që të përmbushej thënia e profetëve: «Do të quhet nazaretas».

Mateu 2:13-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: ''Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty derisa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë''. Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt. Dhe qëndroi aty derisa vdiq Herodi, që të përmbushet ç'ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: ''E thirra birin tim nga Egjipti''. Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë, Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremia që thotë: ''Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më''. Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt, dhe i thotë: ''Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur''. Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit; por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë, dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: ''Ai do të quhet nazarenas''.