Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 2:1-23

Mateu 2:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur u lind Jezui në Betlehem të Judesë, në kohën kur ishte mbret Herodi, disa dijetarë erdhën nga lindja në Jerusalem dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë». Kur e dëgjoi këtë mbreti Herod, u shqetësuan ai dhe tërë Jerusalemi. Atëherë mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Krishti. Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë, se kështu shkruan profeti: e ti, Betlehem, tokë e Judesë, nuk je aspak më i vogli ndër prijësit e Judesë, sepse prej teje do të lindë një prijës që do të jetë bariu i popullit tim Izraelit ». Atëherë Herodi thirri fshehurazi dijetarët dhe mori vesh prej tyre kohën e saktë se kur ishte shfaqur ylli. Pastaj i nisi për në Betlehem e u tha: «Shkoni e pyesni me hollësi për fëmijën dhe kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë e ta adhuroj». Pasi dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë. Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan e mirrë. Të lajmëruar në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër. Si u nisën dijetarët, engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit e i tha: «Ngrihu, merre fëmijën e të ëmën, ik në Egjipt e rri atje derisa të të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë». Ai u ngrit, mori fëmijën dhe të ëmën e u nis nëpër natë për në Egjipt. Qëndroi atje derisa vdiq Herodi, që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti përmes profetit: nga Egjipti e thirra birin tim. Kur mori vesh se dijetarët e kishin mashtruar, Herodi u zemërua shumë dhe dërgoi të vrisnin në Betlehem e në mbarë atë krahinë të gjithë fëmijët meshkuj dy vjeç e poshtë, sipas kohës së saktë që kishte marrë vesh nga dijetarët. Atëherë u përmbush çfarë kishte thënë profeti Jeremi: u dëgjua një zë në Ramah, vajtim e gjëmë e madhe. Rakela vajton fëmijët e saj dhe nuk do që ta ngushëllojnë, sepse ata nuk janë më. Kur vdiq Herodi, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt e i tha: «Ngrihu, merr me vete fëmijën dhe të ëmën e nisu për në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur». Jozefi u ngrit, mori me vete fëmijën dhe të ëmën e u nis për në tokën e Izraelit. Por, pati frikë të shkojë atje kur mori vesh se në Jude sundonte Arkelau në vend të Herodit, atit të tij. I lajmëruar në ëndërr, shkoi në krahinën e Galilesë dhe u vendos në një qytet të quajtur Nazaret, që të përmbushej thënia e profetëve: «Do të quhet nazaretas».

Mateu 2:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem, duke thënë: ''Ku është mbreti i judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar''. Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi. Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti. Dhe ata i thanë: ''Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit: "Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parëndësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin"''. Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë. Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: ''Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj''. Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija. Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë. Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër. Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: ''Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty derisa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë''. Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt. Dhe qëndroi aty derisa vdiq Herodi, që të përmbushet ç'ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: ''E thirra birin tim nga Egjipti''. Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë, Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremia që thotë: ''Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më''. Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt, dhe i thotë: ''Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur''. Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit; por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë, dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: ''Ai do të quhet nazarenas''.