Mateu 19:16-26
Mateu 19:16-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç'të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: « Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten !». Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Ç'më mungon ende?». Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri. Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve. Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por për Perëndinë gjithçka është e mundur».
Mateu 19:16-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: ''Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?''. Dhe ai tha: ''Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti do të hysh në jetë, zbato urdhërimet''. Ai i tha: ''Cilat?''. Atëherë Jezusi i tha: ''Mos vrit, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''. I riu i tha: ''Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?''. Jezusi i tha: ''Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua''. Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe. Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve. Dhe po jua përsëris: Është më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''. Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: ''Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?''. Dhe Jezusi duke përqendruar shikimin mbi ata tha: ''Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur''.