Mateu 19:16-22
Mateu 19:16-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç'të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: « Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten !». Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Ç'më mungon ende?». Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri.
Mateu 19:16-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: ''Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?''. Dhe ai tha: ''Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti do të hysh në jetë, zbato urdhërimet''. Ai i tha: ''Cilat?''. Atëherë Jezusi i tha: ''Mos vrit, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''. I riu i tha: ''Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?''. Jezusi i tha: ''Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua''. Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.