Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 19:1-12

Mateu 19:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galilea dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët. Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër? ». Dhe tha: « Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën, për t'u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t'i jepet gruas fletëndarja e të lihet ». Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore». Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri». Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t'i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata, të cilëve u është dhënë. Ka eunukë që nga lindja dhe ka eunukë të bërë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, të kuptojë».

Mateu 19:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbasi Jezusi i mbaroi këto ligjërata, u nis nga Galileja dhe erdhi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. Turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi atje. Atëherë iu afruan disa farisenj për ta provokuar dhe i thanë: ''A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?''. Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: ''A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër? Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm". Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë''. Ata i thanë: ''Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?''. Ai u tha atyre: ''Moisiu ju lejoi t'i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën''. Dishepujt e vet i thanë: ''Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet''. Por ai u tha atyre: ''Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë. Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë