Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 18:21-35

Mateu 18:21-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Pjetri erdhi te Jezui e i tha: «Zot, sa herë duhet ta fal vëllanë që mëkaton kundër meje? Deri në shtatë herë?». Jezui i tha: «Jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë. Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi, i sollën njërin që i detyrohej dhjetë mijë talenta dhe meqenëse ky nuk kishte të paguante, i zoti urdhëroi që të shitej së bashku me gruan, fëmijët e gjithçka kishte, që të shlyhej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të paguaj gjithçka!”. I zoti i këtij shërbëtori, i shtyrë nga dhembshuria e liroi dhe ia fali detyrimin. Por, po ai shërbëtor, kur doli jashtë, takoi njërin prej shërbëtorëve të tjerë si ai, i cili i detyrohej njëqind denarë. E kapi për gryke e i tha: “Më kthe çka më detyrohesh!”. Atëherë ky shërbëtor i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të ta kthej detyrimin!”. Ai nuk pranoi, por shkoi dhe e futi në burg derisa t'i paguante detyrimin. Kur e panë çfarë ndodhi, shërbëtorët e tjerë u pikëlluan shumë dhe shkuan e i treguan të zotit gjithçka kishte ndodhur. Atëherë i zoti e thirri shërbëtorin e i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë! Unë ta fala tërë detyrimin, se ti m'u përgjërove. A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shërbëtorin tjetër, siç pata unë mëshirë për ty?”. I zoti ua dorëzoi me zemërim rojave të burgut, derisa të shlyente tërë detyrimin e tij. Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor nëse nuk i falni vëllezërit tuaj me gjithë zemër».

Mateu 18:21-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: ''Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?''. Jezusi i tha: ''Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë. Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet. Mbasi filloi t'i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta. Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç'kishte, dhe të shlyejë detyrimin. Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t'i paguaj të gjitha". I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin. Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke". Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: "Ki durim me mua, dhe do t'i paguaj të gjitha". Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg derisa ai ta shlyente detyrimin. Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur. Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m'u lute. A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?". Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të paguante gjithë detyrimin. Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë