Mateu 18:1-20
Mateu 18:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë dishepujt erdhën te Jezui dhe e pyetën: «Kush është më i madhi në mbretërinë e qiejve?». Jezui thirri një fëmijë, e vuri mes tyre e tha: «Me të vërtetë po ju them se, nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Kush përulet si ky fëmijë, ai është më i madhi në mbretërinë e qiejve. Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua». «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të mbytej thellë në det. Mjerë bota për gjërat që bëhen pengesë! Pengesat duhet të vijnë, por mjerë ai njeri që i shkakton ato! Nëse dora apo këmba jote të bëhet pengesë, prije e hidhe tej. Është më mirë të hysh i gjymtuar ose i çalë në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart dhe këmbët e të të hedhin në zjarrin e amshuar. Dhe nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre e hidhe tej. Është më mirë të hysh me një sy në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenën e zjarrit». «Kini kujdes se mos përçmoni ndonjërin prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiej shikojnë gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiej. Si mendoni? Nëse një njeri ka njëqind dele e njëra prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetenëntat në male për të kërkuar atë që humbi rrugën? E nëse e gjen, me të vërtetë po ju them se ai gëzohet më shumë për të, sesa për të nëntëdhjetenëntat që nuk e kishin humbur rrugën. Po kështu edhe vullneti i Atit tuaj në qiej nuk është që të humbasë ndonjë prej këtyre të vegjëlve». «Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko e qortoje vetëm për vetëm. Po të dëgjoi, e ke fituar vëllanë tënd. Por, nëse nuk të dëgjon, merr edhe një ose dy të tjerë me vete, që çdo fjalë të mund të mbështetet me dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve. Nëse nuk pranon t'i dëgjojë, tregoja kishës dhe, po nuk pranoi të dëgjojë as kishën, le të jetë për ty si një prej kombeve apo si një tagrambledhës». «Me të vërtetë po ju them: çfarëdo që të lidhni në tokë, do të jetë e lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhni në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell. Përsëri po ju them se nëse dy prej jush bien në një mendje për diçka që duan të kërkojnë, Ati im në qiell do t'ua japë. Sepse atje ku janë të mbledhur dy a tre veta në emrin tim, unë jam aty, mes tyre».
Mateu 18:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: ''Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?''. Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve. Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua. Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t'i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit. Mjerë bota për skandalet! Sepse është nevojshëm të vijnë skandalet, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali! Tani në qoftë se dora jote ose këmba jote të skandalizohet për mëkat, preje dhe flake nga vetja; është më mirë për ty të hysh në jetë dorëcung ose i çalë, se sa të kesh dy duar dhe dy këmbë dhe të hidhesh në zjarr të përjetshëm. Po ashtu, në qoftë se syri yt të skandalizohet për mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy se sa t'i kesh të dy dhe të të hedhin në Gehena të zjarrit. Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjël, sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, që është në qiej. Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur. Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njëra prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën? Dhe në se i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën. Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë''. ''Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd; por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve. Në se pastaj refuzon t'i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës. Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell. Po ju them gjithashtu se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t'u jepet atyre nga Ati im që është në qiej. Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre''.