Mateu 14:22-32
Mateu 14:22-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat. Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t'u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm, ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, se era ishte kundër. Në agim, Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen. Por kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika. Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë». Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë e shkoi te Jezui, por kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!». Menjëherë, Jezui zgjati dorën, e kapi e i tha: «Përse dyshove, o besimpakët?». Kur hipën në varkë, era pushoi.
Mateu 14:22-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër, derisa ai t'i lëshojë turmat. Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjendej aty, i vetëm fare. Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt. Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det. Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Është një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika; por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''. Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''. Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi. Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''. Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''. Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.