Mateu 14:1-14
Mateu 14:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Herod Tetrarku dëgjoi për Jezuin e u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet, sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua». Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet. Por kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit aq shumë, sa i premtoi me betim t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit». Mbretit i erdhi keq, por, për shkak të betimit dhe të të ftuarve, urdhëroi t'ia jepnin. Ai dërgoi dikë që ia preu kokën Gjonit në burg. Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës. Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit. Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre.
Mateu 14:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit, dhe u tha shërbëtorëve të vet: ''Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të''. Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. Sepse Gjoni i thoshte: ''Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!''. Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet. Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ''Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''. Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t'ia japin. Kështu dërgoi dikë për t'i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg; dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s'ëmës. Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit. Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet. Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.