Mateu 13:10-17
Mateu 13:10-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj erdhën dishepujt e i thanë: «Përse u flet me shëmbëlltyra?». Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre jo. Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do të ketë me tepri, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Atyre u flas me shëmbëlltyra, sepse megjithëse shikojnë, nuk shohin dhe megjithëse dëgjojnë, nuk marrin vesh e as kuptojnë. Te këta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: do të dëgjoni, por s'do të kuptoni, do të shikoni, por s'do të shihni. Sepse zemra e këtij populli është mpirë, veshët e tyre dëgjojnë me vështirësi dhe sytë i kanë të mbyllur, që të mos shohin me sy, të mos dëgjojnë me veshë, të mos kuptojnë me zemër dhe që të mos kthehen tek unë për t'i shëruar. Por lum sytë tuaj, që shohin, e veshët tuaj, që dëgjojnë. Me të vërtetë po ju them se shumë profetë e njerëz të drejtë dëshiruan të shihnin çfarë po shihni ju e nuk panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk dëgjuan».
Mateu 13:10-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: ''Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?''. Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë. Sepse atij që ka, do t'i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Prandaj unë u flas atyre me shëmbëlltyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë. Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: "Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni. Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t'i shëroj. Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë. Sepse në të vërtetë ju them se shumë profetë dhe të drejtë deshën t'i shohin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë, dhe t'i dëgjojnë gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan!