Mateu 11:12-19
Mateu 11:12-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Që nga dita e Gjon Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve fitohet me përpjekje të mëdha dhe atë e fitojnë ata që përpiqen. Të gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri në kohën e Gjonit. Dhe doni apo s'doni ta pranoni, ai është Elia që duhej të vinte. Kush ka veshë, le të dëgjojë. Me çfarë ta krahasoj këtë brezni? Ajo u ngjan fëmijëve që ulen shesheve dhe u thërrasin të tjerëve e u thonë: “I ramë fyellit për ju e nuk kërcyet, vajtuam e ju nuk mbajtët zi”. Erdhi Gjoni që as ha e as pi dhe njerëzit thonë: “Është i pushtuar nga djalli”. Erdhi Biri i njeriut që ha e pi dhe njerëzit thonë: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por, urtia e Perëndisë del e drejtë nga vetë veprat e veta».
Mateu 11:12-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe qysh nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tash mbretëria e qiejve po pëson dhunë dhe të dhunshmit e grabitën. Sepse të gjithë profetët dhe ligji kanë profetizuar deri te Gjoni. Dhe, në daçi ta pranoni, ai është Elia, që duhej të vijë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë! Por me kë ta krahasoj këtë brez? Ai u ngjan fëmijëve që rrinë në sheshe dhe u drejtohen shokëve të tyre duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk kërcyet; nisëm vajin dhe ju nuk u brengosët". Pra, erdhi Gjoni që as hante, as pinte, dhe ata thonë: "Ai ka një demon". Erdhi Biri i njeriut, që ha dhe pi dhe ata thonë: "Ja një grykës dhe një pijanec, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve". Por dituria është justifikuar nga bijtë e vet''.