Mateu 10:24-42
Mateu 10:24-42 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi dhe shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Dishepullit i mjafton të jetë si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të jetë si i zoti. Nëse e quajtën Beelzebul të zotin e shtëpisë, aq më shumë do t'i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij». «Prandaj mos kini frikë prej tyre, sepse nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet, apo të fshehtë që s'do të merret vesh. Çfarë po ju them në errësirë, thuajeni në dritë dhe çfarë ju pëshpëritet në vesh, shpalleni nga çatitë. Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin. Kini frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë. A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? Megjithatë asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tuaj. Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela». «Kështu, kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe unë do ta rrëfej para Atit tim që është në qiej, por kushdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim që është në qiej». «Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë. Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Kam ardhur të ndaj birin nga i ati, bijën nga e ëma; nusen nga e vjehrra; dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së tij. Kush e do të atin apo të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua dhe ai që e do të birin ose të bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush nuk e merr kryqin e vet për të më ndjekur, nuk është i denjë për mua. Kush e gjen jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që e humb jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë». «Kush ju pranon ju, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Kush pranon një profet se është profet, do të marrë shpërblimin e profetit dhe kush pranon një njeri të drejtë se është i drejtë, do të marrë shpërblimin e njeriut të drejtë. Kushdo që i jep njërit prej këtyre të vegjëlve qoftë edhe një gotë ujë të ftohtë, sepse është dishepull, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij».
Mateu 10:24-42 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij. I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t'i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij! Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të njihet. Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë. Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t'ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena. A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj. Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela. Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej. Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej''. ''Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra, dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet. Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua. Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua. Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri. Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij''.