Mateu 10:1-23
Mateu 10:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pasi thirri pranë vetes dymbëdhjetë dishepujt, Jezui u dha atyre pushtet për të dëbuar shpirtrat e ndyrë e për të shëruar çdo sëmundje e lëngatë. Këta janë emrat e dymbëdhjetë apostujve: i pari Simoni, që quhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut e Gjoni, vëllai i tij; Filipi e Bartolomeu; Thomai e Mate Tagrambledhësi; Jakobi, biri i Alfeut, dhe Tadeu; Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi. Jezui i dërgoi këta dymbëdhjetë dishepuj e i porositi kështu: «Mos shkoni udhës së kombeve e mos hyni në asnjë qytet samaritanësh, por shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Ndërsa shkoni, predikoni e thoni: “Mbretëria e qiejve është afër”. Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni djajtë. Falas morët, falas jepni. Mos merrni me vete as ar, as argjend, as bakër, as torbë për udhëtim, as dy tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë të ushqehet. Në çfarëdo qyteti a fshati që të hyni, kërkoni atë që është i gatshëm t'ju presë në shtëpinë e tij dhe rrini atje derisa të niseni. Kur të hyni në një shtëpi, përshëndetini. Nëse ajo shtëpi është e denjë, le të vijë mbi të paqja juaj, por nëse nuk ju pret mirë, le të kthehet paqja juaj te ju. Dhe nëse ndokush nuk do t'ju pranojë apo nuk do të dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni nga ajo shtëpi, apo nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët. Me të vërtetë po ju them se në ditën e gjykimit më lehtë do ta ketë Sodoma e Gomorra, sesa ai qytet». «Ja, po ju dërgoj si delet mes ujqve, prandaj jini të zgjuar si gjarpërinjtë e të pastër si pëllumbat. Ruhuni nga njerëzit, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre. Do t'ju tërheqin zvarrë para qeveritarëve e mbretërve për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para kombeve. Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni sesi do të flisni apo se çfarë do të thoni, sepse ajo që do të thoni do t'ju jepet në atë çast. Nuk jeni ju ata që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj që do të flasë përmes jush. Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje, dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtohet. Kur t'ju përndjekin në një qytet, shkoni në një tjetër. Me të vërtetë po ju them se nuk do t'i keni përshkuar të gjitha qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.
Mateu 10:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t'i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë. Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij; Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade; Simon kanaaneasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi. Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhra: ''Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve, por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua". Shëroni të sëmurët, pastroni lebrosët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni. Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj, as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet. Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai derisa të niseni. Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni. Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju. Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja. Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet. Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat. Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t'ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre. Dhe do t'ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve. Dhe, kur t'ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t'ju jepet se çfarë duhet të thoni; sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju. Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i vrasin. Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë. Por kur do t'ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.