Mateu 1:20-25
Mateu 1:20-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr e i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i shenjtë. Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre». E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit: virgjëresha do të ngjizet e do të lindë një djalë që do të quhet Emanuel, që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne. Kur u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua, por nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi të birin, të cilit Jozefi ia vuri emrin Jezu.
Mateu 1:20-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit dhe i tha: ''Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç'është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre''. E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë: ''Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i venë emrin Emanuel, që do të thotë: "Perëndia me ne"''. Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetes gruan e tij; por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus.