Malakia 2:1-9
Malakia 2:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Tani, ky është urdhri për ju, o priftërinj! Nëse nuk dëgjoni e nuk tregoni kujdes, për t'i dhënë lavdi emrit tim, thotë ZOTI i ushtrive, do të çoj mallkim mes jush. Do t'i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t'i mallkoj, se nuk treguat kujdes. Ja, për faj tuaj do t'i qortoj pasardhësit tuaj. Do t'jua hedh në fytyrë jashtëqitjen, rropullitë e flive të festave tuaja dhe do të hiqeni tej bashkë me to. Pranojeni, pra, këtë urdhër, që besëlidhja ime me Levin të mbetet, thotë ZOTI i ushtrive. Besëlidhja ime me të ishte për paqe e jetë, të cilat unë ia dhashë. Ishte besëlidhje për të më druajtur e ai pati drojë. Ai e nderoi emrin tim. Mësimi i vërtetë ishte në gojën e tij, nuk gjendej padrejtësi në buzët e tij. Eci me mua në paqe e drejtësi dhe ktheu shumë vetë prej paudhësisë. Buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë, njerëzit mësojnë udhëzime prej gojës së tij, sepse ai është lajmëtari i ZOTIT të ushtrive. Por, ju e latë udhën dhe penguat shumë vetë me mësimet që dhatë. E shkelët besëlidhjen e Levit, thotë ZOTI i ushtrive, prandaj unë do t'ju përbuz e do t'ju përul para tërë popujve, sepse nuk i ndoqët udhët e mia, por u treguat të njëanshëm në çështjet e ligjit.
Malakia 2:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Dhe tani ky urdhërim është për ju, o priftërinj. Në qoftë se nuk dëgjoni, po të mos keni në zemër t'i jepni lavdi emrit tim", thotë Zoti i ushtrive, "do të dërgoj mbi ju mallkimin dhe do të mallkoj bekimet tuaja; po, tashmë i kam mallkuar, sepse nuk e keni futur këtë gjë në zemër. Ja, unë do ta shaj farën tuaj, do të hedh jashtëqitje mbi fytyrat tuaja, jashtëqitjet e festave tuaja solemne, dhe ju do t'ju marrin bashkë me to. Atëherë do të pranoni që unë ju kam dërguar këtë urdhërim, me qëllim që besëlidhja ime me Levin të mund të vazhdojë", thotë Zoti i ushtrive. "Besëlidhja ime me të ishte një besëlidhje jete dhe paqeje, që unë ia dhashë që të ketë frikë prej meje; dhe ai më pati frikë dhe u tmerrua para emrit tim. Ligji i së vërtetës ishte në gojën e tij dhe asnjë çoroditje nuk gjendej mbi buzët e tij; ai ecte bashkë me mua në paqe e në ndershmëri dhe shpëtoi shumë njerëz nga paudhësia. Sepse buzët e priftit duhet të ruajnë diturinë dhe nga goja e tij secili duhet të kërkojë ligjin, sepse ai është lajmëtari i Zotit të ushtrive. Përkundrazi ju jeni larguar nga rruga, keni bërë që shumë njerëz të pengohen te ligji, keni dhunuar besëlidhjen e Levit", thotë Zoti i ushtrive. "Për këtë arsye ju kam bërë të përbuzshëm dhe të neveritshëm përpara gjithë popullit, sepse nuk keni respektuar rrugët e mia dhe keni qenë të njëanshëm në zbatimin e ligjit".