Luka 9:37-62
Luka 9:37-62 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe. Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm! Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë dhe e shkund me dhunë derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon e largohet me vështirësi prej tij. Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por nuk mundën». Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sille këtu tët bir!». Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit. Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë. Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve: «Vëruni vesh mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve». Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin. Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi. Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë. Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi». Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne». Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se kush nuk është kundër jush, është me ju». Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin, por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit. Kur dishepujt e tij, Jakobi e Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarr nga qielli e t'i përpijë?». Por Jezui u kthye e i qortoi. Pastaj shkuan në një fshat tjetër. Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh». Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka e zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën». Një tjetri i tha: «Më ndiq!». Por ai iu përgjigj: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë!». Jezui i tha: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre, ndërsa ti shko e shpall mbretërinë e Perëndisë». Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zot, por më lejo të ndahem më parë me ata të shtëpisë». Jezui iu përgjigj: «Kushdo që vë dorën në parmendë dhe e kthen kokën pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë».
Luka 9:37-62 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit. Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: ''Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam. Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur. U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur''. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t'ju duroj? Sille këtu djalin tënd''. Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet. Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet: ''I shtini mirë në vesh këto fjalë, sepse Biri i njeriut do të bjerë në duart e njerëzve''. Por ata nuk i kuptuan këto fjalë; ato ishin të fshehta dhe për këtë shkak ata nuk i kuptonin dot, dhe druanin ta pyesnin për ato që kishte thënë. Pastaj midis tyre filloi një grindje: cili prej tyre do të ishte më i madhi. Atëherë Jezusi, duke ditur ç'mendime kishin në zemrat e tyre, mori një fëmijë të vogël dhe e afroi pranë vetes, dhe u tha atyre: ''Ai që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua, sepse ai që është më i vogli nga ju të gjithë, ai do të jetë i madh''. Atëherë Gjoni e mori fjalën dhe tha: ''Mësues, ne pamë një që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse ai nuk të ndjek bashkë me ne''. Por Jezusi i tha: ''Mos ia ndaloni, sepse kush nuk është kundër nesh është me ne''. Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem, dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të samaritanëve, për t'i përgatitur ardhjen. Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi. Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: ''Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t'i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?''. Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: ''Ju nuk e dini nga cili frymë jeni; sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtrat e njerëzve, po për t'i shpëtuar''. Pastaj shkuan në një fshat tjetër. Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: ''Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh''. Por Jezusi i tha: ''Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën''. Pastaj i tha një tjetri: ''Ndiqmë!''. Por ai përgjigjej: ''Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim''. Jezusi i tha: ''Lëri të vdekurit t'i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë''. Akoma një tjetër i tha: ''Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime''. Jezusi i tha: ''Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë''.