Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 9:1-36

Luka 9:1-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet. Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika. Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty. Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre». Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo. Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve, disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër. Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte. Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë. Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim. Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë». Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?». Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!». Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë. Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t'ia shtronin turmës. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke. Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?». Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër». Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë». Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë. Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten? Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia. Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë». Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t'u lutur. Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese. Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem. Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të. Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte. Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika. Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!». Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.

Luka 9:1-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet. Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët. Dhe u tha atyre: ''Mos merrni asgjë për rrugë: as shkop, as trastë, as bukë, as para dhe asnjë prej jush të mos ketë dy tunika me vete. Në atë shtëpi ku të hyni, aty rrini derisa të largoheni. Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre''. Atëherë ata u nisën dhe përshkuan fshatrat duke përhapur ungjillin dhe duke shëruar kudo. Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri, të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë. Por Herodi tha: ''Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?''. Dhe kërkonte ta shihte. Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida. Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim. Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: ''Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë''. Por ai u tha atyre: ''U jepni ju të hanë''. Ata u përgjigjen: ''Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz''. Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: ''I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë''. Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë. Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës. Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta. Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi po lutej në vetmi, dishepujt ishin bashkë me të. Dhe ai i pyeti duke thënë: ''Kush thonë turmat se jam unë?''. Ata duke u përgjigjur thanë: ''Disa thonë "Gjon Pagëzori", të tjerë "Elia" dhe të tjerë një nga profetët e lashtë që është ringjallur''. Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''. Atëherë Pjetri duke u përgjigjur tha: ''Krishti i Perëndisë''. Atëherë ai i porositi rreptë dhe i urdhëroi të mos i tregojnë kurrkujt, duke thënë: ''Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, ta përbuzin pleqtë, krerët e priftërinjve dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ringjallet''. Pastaj u tha të gjithëve: ''Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë. E pra, ç'dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje? Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t'i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë. Në të vërtetë po ju them se këtu janë të pranishëm disa që nuk do ta shijojnë vdekjen, para se ta shohin mbretërinë e Perëndisë''. Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t'u lutur. Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme. Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia, të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem. Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të. Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të rrimë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''; por ai nuk dinte ç'thoshte. Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re. Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni''. Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç'kishin parë.