Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 8:26-39

Luka 8:26-39 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj arritën në krahinën e gerasenëve, që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë. Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!», sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t'i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt. Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli. Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye. Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi e i tha: «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui.

Luka 8:26-39 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj lundruan drejt krahinës së gadarenasve, që ndodhet përballë Galilesë; dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza. Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: ''Ç'ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!''. Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat. Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: ''Si e ke emrin?''. Dhe ai u përgjigj: ''Legjion''. Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të. Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t'i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre. Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt. Kur panë ç'ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra. Atëherë njerëzit dolën për të parë ç'kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë. Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i demonizuari. Atëherë gjithë popullsia e krahinës së gadarenasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa. Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë: ''Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty''. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të.