Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 8:22-56

Luka 8:22-56 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Një ditë Jezui hipi në një varkë me dishepujt e u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër të liqenit». Kështu u nisën. Ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi. Papritur filloi një erë e fortë mbi liqen. Varka po mbushej me ujë e ata ishin në rrezik. Dishepujt iu afruan Jezuit, e zgjuan e i thanë: «Mësues, mësues, po mbytemi». Ai u zgjua dhe qortoi erën e dallgët kërcënuese, të cilat pushuan. Pastaj u bë bunacë. Jezui u tha dishepujve: «Ku është besimi juaj?». Ata ishin të trembur e të mahnitur e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që urdhëron edhe erërat, edhe ujin e ata i binden?». Pastaj arritën në krahinën e gerasenëve, që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë. Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!», sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t'i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt. Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli. Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye. Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi e i tha: «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui. Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin. Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeçe, ishte duke vdekur. Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët. Në grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur e askush nuk kishte mundur ta shëronte iu afrua nga pas, i preku cepin e gunës dhe menjëherë iu ndal hemorragjia. Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë». Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje». Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe». Ndërsa po fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kryetarit të sinagogës e i tha: «Jot bijë vdiq. Mos e shqetëso më mësuesin». Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». Kur arriti te shtëpia, nuk lejoi askënd të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, të atit e të ëmës së vajzës. Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por Jezui tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën, sepse e dinin se kishte vdekur. Atëherë Jezui e mori për dore e thirri: «Vashëz, ngrihu!». Asaj iu kthye shpirti e u ngrit menjëherë. Pastaj Jezui u tha t'i jepnin për të ngrënë. Prindërit e saj u mrekulluan, por ai i urdhëroi të mos i tregonin askujt për çfarë kishte ndodhur.

Luka 8:22-56 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në një prej atyre ditëve ndodhi që Jezusi hipi në një barkë bashkë me dishepujt e vet dhe u tha: ''Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit''. Dhe ata u larguan nga bregu. Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi; dhe një furtunë ra mbi liqen, aq sa barka po mbushej, dhe ishin në rrezik. Atëherë ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, Mësues, po mbytemi!''. Dhe ai u zgjua, i bërtiti erës dhe tërbimit të ujit; dhe këto u qetësuan dhe u bë bunacë. Dhe Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Ku është besimi juaj?''. Dhe ata, të frikësuar, mrekulloheshin dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?''. Pastaj lundruan drejt krahinës së gadarenasve, që ndodhet përballë Galilesë; dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza. Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: ''Ç'ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!''. Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat. Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: ''Si e ke emrin?''. Dhe ai u përgjigj: ''Legjion''. Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të. Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t'i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre. Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt. Kur panë ç'ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra. Atëherë njerëzit dolën për të parë ç'kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë. Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i demonizuari. Atëherë gjithë popullsia e krahinës së gadarenasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa. Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë: ''Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty''. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të. Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin. Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij. Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri, iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut. Dhe Jezusi tha: ''Kush më preku?''. Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: ''Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?"''. Por Jezusi tha: ''Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje''. Atëherë gruaja, duke parë se nuk u fsheh dot, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast. Dhe ai i tha: ''Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!''. Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: ''Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin''. Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: ''Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë''. Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës. Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: ''Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle''. Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur. Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: ''Vajzë, çohu!''. Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t'i jepnin të hante. Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thoshin kurrkujt ç'kishte ndodhur.