Luka 8:1-21
Luka 8:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas këtyre gjërave Jezui shkoi nëpër qytete e fshatra duke predikuar e duke shpallur ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe të dymbëdhjetët ishin me të. Ishin edhe disa gra që Jezui i kishte shëruar nga shpirtrat e këqij e nga sëmundjet: Maria, që quhej Magdalenë, prej së cilës ishin dëbuar shtatë djaj, Joana, gruaja e Kuzait, kujdestarit të pasurisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që kishin vënë pasuritë e veta në shërbim të Jezuit e të dishepujve. Kur u mblodh një turmë e madhe me njerëz që vinin tek ai nga qytete të ndryshme, Jezui foli me shëmbëlltyra: «Një mbjellës doli për të mbjellë farën. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe njerëzit i shkelën e zogjtë e qiellit i hëngrën. Disa të tjera ranë në gurishtë e sapo mbinë, u thanë se nuk kishin ujë. Disa të tjera ranë ndër ferra. Ferrat u rritën së bashku me to e ua zunë frymën. Por disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, kur u rritën, prodhuan njëqindfish». Pastaj tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!». Pastaj dishepujt e pyetën se çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë. Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që të kenë sy e të mos shohin dhe të dëgjojnë e të mos kuptojnë ». «Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë. Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen. Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin. Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria e kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen. Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte». «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. Asgjë e fshehur nuk do të mbetet pa u zbuluar dhe asnjë e fshehtë nuk do të mbetet pa u njohur e pa dalë në dritë. Kini kujdes sesi dëgjoni, se atij që ka do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo pak që mendon se ka». E ëma dhe vëllezërit e Jezuit shkuan për ta takuar, por nuk mundën të arrinin tek ai për shkak të turmës. Atëherë i thanë Jezuit: «Nëna jote e vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të të shohin». Por ai u tha: «Nëna ime e vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Perëndisë».
Luka 8:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët, dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtrat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë, Joana, gruaja e Kuzas, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre. Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë: ''Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage. Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën. Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish''. Si i tha këto gjëra, thirri: ''Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''. Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë. Dhe ai tha: ''Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë. Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë. Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen. Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen. Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri''. ''Askush, pasi të ketë ndezur llambën, nuk e mbulon me një enë ose e fut nën shtrat, por e vë mbi mbajtësen e vet me qëllim që ata që hyjnë të shohin dritë. Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që nuk do të zbulohet, as sekret që të mos njihet dhe të dalë në dritë. Prandaj tregoni kujdes se si dëgjoni, sepse atij që ka, do t'i jepet, kurse atij që nuk ka, do t'i hiqet edhe ajo që ai kujton se ka''. Nëna e tij dhe vëllezërit e tij erdhën tek ai, por nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës. Dhe nga disa i ishte thënë: ''Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të të shohin''. Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë''.