Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 7:18-28

Luka 7:18-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?”». Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve. Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë». Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. Gjoni është ai për të cilin është shkruar: ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde. Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai».

Luka 7:18-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra. Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t'i thënë: ''A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?''. Këta njerëz, pra, shkuan tek ai dhe i thanë: ''Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?"''. Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit. Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Shkoni dhe i thoni Gjonit ç'keni parë e dëgjuar: të verbrit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrosët po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve. I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!''. Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t'u thotë turmave për Gjonin: ''Ç'dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era? Po, ç'dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve. Por, ç'dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet. Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje". Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë