Luka 7:1-30
Luka 7:1-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum. Aty gjendej një kryeqindës që kishte një shërbëtor, të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur. Kur dëgjoi për Jezuin, kryeqindësi dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t'i luteshin të vinte për t'i shëruar shërbëtorin. Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh, sepse e do popullin tonë e na ka ndërtuar edhe sinagogën». Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur kryeqindësi dërgoi disa miq për t'i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time. Prandaj nuk m'u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi e kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me kryeqindësin. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh». Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e kryeqindësit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar. Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij dhe nga një turmë e madhe. Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte. Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!». Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!». I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma. Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe: «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet». Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth. Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?”». Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve. Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë». Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. Gjoni është ai për të cilin është shkruar: ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde. Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai». Të gjithë ata që e dëgjuan këtë gjë, përfshirë edhe tagrambledhësit, pranuan se Perëndia është i drejtë dhe u pagëzuan nga Gjoni. Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit iu kundërvunë vullnetit të Perëndisë e nuk u pagëzuan nga Gjoni.
Luka 7:1-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum. Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje. Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij. Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: ''Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë, sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën''. Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t'i thënë: ''Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim. Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njërit: "Shko", dhe ai shkon; dhe një tjetri: "Eja", dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë", dhe ai e bën''. Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: ''Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh''. Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar. Dhe të nesërmen ai shkoi në një qytet që quhej Nain; dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe. Dhe, kur iu afrua portës së qytetit, ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të. Posa e pa, Zoti pati dhembshuri për të dhe i tha: ''Mos qaj!'' U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: ''Djalosh, unë të them, çohu!''. Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës. Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: ''Midis nesh doli një profet i madh'' dhe: ''Perëndia e vizitoi popullin e vet''. Dhe kjo e thënë për të u përhap nëpër gjithë Judenë dhe anembanë krahinës përreth. Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra. Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t'i thënë: ''A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?''. Këta njerëz, pra, shkuan tek ai dhe i thanë: ''Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?"''. Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit. Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Shkoni dhe i thoni Gjonit ç'keni parë e dëgjuar: të verbrit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrosët po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve. I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!''. Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t'u thotë turmave për Gjonin: ''Ç'dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era? Po, ç'dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve. Por, ç'dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet. Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje". Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai''. Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit. Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan.