Luka 7:1-10
Luka 7:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum. Aty gjendej një kryeqindës që kishte një shërbëtor, të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur. Kur dëgjoi për Jezuin, kryeqindësi dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t'i luteshin të vinte për t'i shëruar shërbëtorin. Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh, sepse e do popullin tonë e na ka ndërtuar edhe sinagogën». Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur kryeqindësi dërgoi disa miq për t'i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time. Prandaj nuk m'u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi e kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me kryeqindësin. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh». Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e kryeqindësit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.
Luka 7:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum. Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje. Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij. Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: ''Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë, sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën''. Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t'i thënë: ''Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim. Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njërit: "Shko", dhe ai shkon; dhe një tjetri: "Eja", dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë", dhe ai e bën''. Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: ''Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh''. Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar.