Luka 6:27-36
Luka 6:27-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën. Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko. Bëjuni të tjerëve çka dëshironi t'ju bëjnë juve. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan. Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu. Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t'jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë. Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre e jepni hua pa pritur që t'ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh e do të jeni bijtë e të tejlartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë. Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj».
Luka 6:27-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por unë po ju them juve që më dëgjoni: ''T'i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën. Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë. Por, ashtu siç dëshironi që t'ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta. Por po t'i doni ata që ju duan, ç'meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan. Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët. Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t'jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t'u kthehet aq sa dhanë. Por ju t'i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mosmirënjohësit dhe të mbrapshtët. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.