Luka 6:20-29
Luka 6:20-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha: «Lum ju që jeni të varfër, se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë! Lum ju që tani keni uri, se do të ngiheni! Lum ju që tani qani, se do të qeshni! Lum ju kur njerëzit t'ju urrejnë, kur t'ju përjashtojnë e t'ju shajnë, kur të shpifin për ju për shkak të Birit të njeriut! Kur të vijë ajo ditë, gëzohuni e kërceni, se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell. Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët. Por mjerë ju të pasur, se e keni marrë ngushëllimin tuaj! Mjerë ju që jeni të nginjur tani, se do të keni uri! Mjerë ju që tani qeshni, se do të trishtoheni e do të qani! Mjerë ju kur të gjithë të flasin mirë për ju! Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë». «Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën.
Luka 6:20-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: ''Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë''. Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni. Lum ju, kur njerëzit do t'ju urrejnë, do t'ju mallkojnë dhe do t'ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut. Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët. Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani! Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë. Por unë po ju them juve që më dëgjoni: ''T'i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.