Luka 6:17-23
Luka 6:17-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte. Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha: «Lum ju që jeni të varfër, se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë! Lum ju që tani keni uri, se do të ngiheni! Lum ju që tani qani, se do të qeshni! Lum ju kur njerëzit t'ju urrejnë, kur t'ju përjashtojnë e t'ju shajnë, kur të shpifin për ju për shkak të Birit të njeriut! Kur të vijë ajo ditë, gëzohuni e kërceni, se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell. Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët.
Luka 6:17-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judeja, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t'u shëruar nga sëmundjet e veta; Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin. E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë. Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: ''Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë''. Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni. Lum ju, kur njerëzit do t'ju urrejnë, do t'ju mallkojnë dhe do t'ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut. Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët.