Luka 4:38-44
Luka 4:38-44 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui u ngrit, doli nga sinagoga e shkoi në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte sëmurë me ethe të forta, prandaj iu lutën që ta shëronte. Jezui u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë. Ajo u ngrit menjëherë e filloi t'u shërbente. Në perëndim të diellit, të gjithë ata që kishin të sëmurë që vuanin nga sëmundje të ndryshme i sillnin te Jezui. Ai vendoste duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte. Prej shumë vetave dilnin shpirtra të ndyrë që bërtisnin: «Ti je Biri i Perëndisë!». Por Jezui i qortonte e nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti. Kur agoi dita, Jezui doli nga qyteti e shkoi drejt një vendi të shkretë. Një turmë e madhe shkoi për ta kërkuar dhe kur e gjetën, nuk donin që ai të largohej prej tyre, por Jezui u tha: «Më duhet ta shpall ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë gjë jam dërguar». Dhe predikonte nëpër sinagogat e Judesë.
Luka 4:38-44 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të. Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t'u shërbejë. Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre. Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshin: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë''. Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti. Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre. Por ai u tha atyre: ''Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar''. Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.