Luka 4:14-22
Luka 4:14-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin. Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: « Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t'u shpallur ungjillin të varfërve . Më ka dërguar për t'u shpallur robërve lirinë e për t'u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ». E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj». Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?».
Luka 4:14-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth. Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë. Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: ''Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit''. Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të. Atëherë ai nisi të thotë: ''Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja''. Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshin: ''Po ky, a nuk është biri i Jozefit?''.