Luka 3:1-6
Luka 3:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Cezar Tiberit, kur Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë dhe Herodi, tetrark i Galilesë, ndërsa vëllai i tij, Filipi, tetrark i krahinës së Ituresë e Trakonitidës, kur Lisania ishte tetrark i Abilenës dhe kryepriftërinj ishin Hanahu e Kajafa, Gjonit, birit të Zakarisë, iu dha fjala e Perëndisë në shkretëtirë. Ai shkoi në mbarë krahinën përreth Jordanit dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. Siç është shkruar në librin e profetit Isai: një zë thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Çdo luginë le të mbushet e çdo mal e kodër le të rrafshohet. Drejtoni udhët e shtrembra e rrafshoni rrugët e ashpra. Çdo njeri do ta shohë shpëtimin e Perëndisë.
Luka 3:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës, nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kaifa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë. Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve, ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: ''Ja zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë''.