Luka 24:18-27
Luka 24:18-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?». Ai i pyeti: «Çfarë?». Ata i thanë: «Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve dhe sesi kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra. Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë. Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë». Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët.
Luka 24:18-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ''Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Cilat?''. Ata i thanë: ''Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit. Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar. Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithëkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra. Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri, dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë një vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton. Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë''. Atëherë ai u tha atyre: ''Të pamend dhe të ngjathët në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?''. Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.