Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 24:1-50

Luka 24:1-50 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, gratë erdhën te varri me vajrat erëmirë që kishin përgatitur. Ato e gjetën gurin të rrokullisur nga varri, u futën brenda, por nuk e gjetën trupin e Zotit Jezu. Ndërsa ishin të hutuara nga kjo gjë, papritur u shfaqën përbri tyre dy burra me rroba vezulluese. Gratë i zuri frika e ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur. Kujtohuni se çfarë ju tha kur ishte në Galile, sesi Biri i njeriut duhej t'u dorëzohej mëkatarëve, të kryqëzohej e të tretën ditë të ngjallej». Ato kujtuan fjalët e tij dhe kur u kthyen nga varri, u treguan gjithçka të njëmbëdhjetëve e të gjithë të tjerëve. Ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që rrinin me to. Ato ua treguan këto gjëra apostujve, por atyre iu dukën të pakuptimta këto fjalë e nuk u besuan. Megjithatë Pjetri u ngrit e vrapoi te varri. U përkul e shikoi brenda. Ai pa vetëm pëlhurat e u kthye në shtëpi i mrekulluar për çfarë kishte ndodhur. Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi. Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur. Ndërsa flisnin e bisedonin, Jezui iu afrua dhe eci bashkë me ta, por diçka i pengonte ta njihnin. Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur?». Ata u ndalën të trishtuar. Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?». Ai i pyeti: «Çfarë?». Ata i thanë: «Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve dhe sesi kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra. Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë. Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë». Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët. Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Jezui eci përpara, sikur donte të vazhdonte, por ata iu lutën shumë e i thanë: «Rri me ne, se po vjen mbrëmja e dita gati mbaroi». Atëherë ai shkoi e ndenji me ta. Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu e ua dha atyre. Atëherë atyre iu hapën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej tyre. Ata i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjte zemra kur na fliste gjatë udhës e kur na çelte Shkrimet?». Në atë çast u ngritën e shkuan në Jerusalem, ku gjetën të njëmbëdhjetët e të tjerët që ishin me ta e që po rrinin së bashku. Ata thoshin: «Zoti është ngjallur me të vërtetë dhe i është shfaqur Simonit». Atëherë dy dishepujt u treguan çfarë kishte ndodhur gjatë udhës dhe sesi u ishte bërë i njohur në thyerjen e bukës. Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezui qëndroi mes tyre e u tha: «Paqja me ju!». Ata u trembën e i zuri frika duke menduar se po shihnin një shpirt. Por ai u tha: «Përse keni frikë e përse lindin dyshime në zemrat tuaja? Shikojini duart e mia e këmbët e mia. Jam unë. Prekmëni e shikoni. Shpirti nuk ka mish e kocka siç shihni se kam unë». Dhe, pasi tha këto, u tregoi duart e këmbët. Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, Jezui u tha: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata i dhanë një copë peshk të pjekur. Ai e mori dhe e hëngri në praninë e tyre. Atëherë u tha: «Këto fjalë jua thashë kur isha ende me ju: gjithçka që është shkruar për mua në ligjin e Moisiut, te Profetët e te Psalmet, duhet të përmbushet». Pastaj ua hapi mendjet që të kuptonin Shkrimet e u tha: «Është shkruar se Krishti duhet të vuajë e të ngjallet prej të vdekurve të tretën ditë dhe të gjitha kombeve do t'u shpallet pendimi e falja e mëkateve, duke filluar nga Jerusalemi. Ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. Ja, unë po ju dërgoj premtimin e Atit tim, prandaj rrini këtu në qytet derisa të visheni me pushtet nga lart». Pastaj u priu deri në Betani, ngriti duart e i bekoi.

Luka 24:1-50 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur. Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus. Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme. Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: ''Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë''. Dhe ato kujtonin fjalët e tij. kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve. Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to. Por këto fjalë atyre iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre. Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur. Po atë ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit. Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur. Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin. Dhe ai u tha atyre: ''Ç'janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?''. Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ''Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Cilat?''. Ata i thanë: ''Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit. Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar. Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithëkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra. Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri, dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë një vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton. Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë''. Atëherë ai u tha atyre: ''Të pamend dhe të ngjathët në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?''. Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij. Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje. Por ata e detyruan duke thënë: ''Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron''. Edhe ai hyri që të rrijë me ta. Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre. Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre. Dhe ata i thanë njëri-tjetrit: ''Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?''. Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta. Ata thoshin: ''Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit''. Ata atëherë treguan ç'u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës. Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!''. Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë. Atëherë ai u tha atyre: ''Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime? Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!''. Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët. Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: ''A keni këtu diçka për të ngrënë?''. Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti. Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre. Pastaj u tha atyre: ''Këto janë fjalët që unë ju thosha kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet''. Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet, dhe u tha atyre: ''Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi. Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit derisa të visheni me pushtet nga lart''. Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë