Luka 24:1-11
Luka 24:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, gratë erdhën te varri me vajrat erëmirë që kishin përgatitur. Ato e gjetën gurin të rrokullisur nga varri, u futën brenda, por nuk e gjetën trupin e Zotit Jezu. Ndërsa ishin të hutuara nga kjo gjë, papritur u shfaqën përbri tyre dy burra me rroba vezulluese. Gratë i zuri frika e ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur. Kujtohuni se çfarë ju tha kur ishte në Galile, sesi Biri i njeriut duhej t'u dorëzohej mëkatarëve, të kryqëzohej e të tretën ditë të ngjallej». Ato kujtuan fjalët e tij dhe kur u kthyen nga varri, u treguan gjithçka të njëmbëdhjetëve e të gjithë të tjerëve. Ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që rrinin me to. Ato ua treguan këto gjëra apostujve, por atyre iu dukën të pakuptimta këto fjalë e nuk u besuan.
Luka 24:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur. Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus. Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme. Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: ''Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë''. Dhe ato kujtonin fjalët e tij. kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve. Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to. Por këto fjalë atyre iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.