Luka 23:33-44
Luka 23:33-44 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë». Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten». Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!». Mbi të gjendej ky mbishkrim: «Ky është mbreti i judenjve». Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!». Por tjetri e qortoi e i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai? Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe». Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde». Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë». Aty nga mesdita, errësira mbuloi gjithë tokën deri në orën tre pasdite.
Luka 23:33-44 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short. Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''. Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i judenjve, shpëto veten''. Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE". Tani një nga keqbërësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''. Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''. Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''. Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''. Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.