Luka 23:26-34
Luka 23:26-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”. Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: “Bini mbi ne” dhe kodrave: “Na mbuloni!”. Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?». Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t'i kryqëzuar bashkë me Jezuin. Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë». Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij.
Luka 23:26-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit. Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të. Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpa dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!". Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!". Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?". Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë. Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.