Luka 22:47-53
Luka 22:47-53 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t'u biem me shpata?». Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi. Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».
Luka 22:47-53 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur. Dhe Jezusi i tha: ''Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?''. Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: ''Zot, a t'u biem me shpatë?''. Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi. Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: ''Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari? Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës''.