Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 20:1-26

Luka 20:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull e po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, shkruesit dhe pleqtë e i thanë: «Na thuaj, me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni, pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet». Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra». Jezui filloi t'i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira e u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t'i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët. Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët. Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan. Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt”. Por kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona”. Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë. Çfarë do t'u bëjë atyre i zoti i vreshtit? Ai do të vijë e do t'i vrasë ata vreshtarë e do t'ua japë vreshtin të tjerëve». Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!». Por Jezui hodhi sytë drejt tyre e tha: «Çfarë do të thotë ky Shkrim: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes? Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë». Shkruesit dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli. Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t'ia dorëzonin parisë e pushtetit të qeveritarit. Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk ndikohesh nga njeri, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t'i paguajmë taksa Cezarit apo jo?». Por Jezui e kuptoi dinakërinë e tyre e u tha: «Më tregoni një monedhë. Figurën dhe mbishkrimin e kujt mban kjo monedhë?». Ata i thanë: «Të Cezarit». Jezui u tha: «Atëherë, jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Kështu, ata nuk mundën ta zinin në fjalë para popullit dhe, të mrekulluar me përgjigjen e tij, heshtën.

Luka 20:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë, dhe i thanë: ''Na trego me ç'autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?''. Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju pyes një gjë dhe ju m'u përgjigjni: Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?''. Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: ''Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?". Kurse po t'i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet''. Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''As unë nuk po ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra''. Pastaj filloi t'i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: ''Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë. Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t'i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh. Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh. Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë. Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!". Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve". Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç'do t'u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit? Ai do të vijë, do t'i vrasë ata vreshtarë dhe do t'ua japë vreshtin të tjerëve''. Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Kështu mos qoftë''. Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: ''Ç'është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"? Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet''. Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli. Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t'ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit. Këta e pyetën duke thënë: ''Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë. A është e lejueshme për ne t'i paguajmë taksë Cezarit apo jo?''. Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: ''Përse më provokoni? Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?''. Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: ''E Cezarit''. Atëherë ai u tha atyre: ''I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë''. Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.