Luka 2:25-52
Luka 2:25-52 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të. Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit. I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit, Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu: «Tani, o Zot, lëre shërbëtorin tënd të shkojë në paqe, sipas fjalës sate, se me sytë e mi e pashë shpëtimin tënd që ti e përgatite në sytë e të gjithë popujve, dritë për të ndriçuar kombet e lavdi për popullin tënd, Izraelin». I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të. Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin». Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur. Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit. Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret. Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të. Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës. Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit. Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t'u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë. Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën e pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit, por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte e i pyeste. Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia e përgjigjet e tij. Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë e yt atë po të kërkonim gjithë ankth». Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?». Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij. Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret e u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër. Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë e njerëzve.
Luka 2:25-52 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të. Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit. Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji, ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë: ''Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd që ti e përgatite përpara gjithë popujve: dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit''. Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të. Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: ''Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh, edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave''. Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin. Ajo ishte e ve dhe, megjithëse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje. Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem. Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret. Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të. Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës. Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës. Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndenji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin. Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve; dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar. Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje. Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarsia e tij dhe nga përgjigjet e tij. Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: ''Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!''. Por ai u tha atyre: ''Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?''. Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre. Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj. Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.