Luka 2:15-21
Luka 2:15-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti». Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë me Jozefin e fëmijën të shtrirë në grazhd. Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën. Dhe të gjithë ata që dëgjuan mbetën të habitur nga tregimi i barinjve. Maria i ruante dhe i shqyrtonte të gjitha këto në zemrën e saj. Atëherë barinjtë u kthyen duke përlëvduar Perëndinë e duke i thurur lavde për gjithçka panë e dëgjuan, ashtu siç u qe thënë. Pas tetë ditësh, kur e rrethprenë, i vunë emrin Jezu, emrin që i kishte vënë engjëlli para se të ngjizej.
Luka 2:15-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t'u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: ''Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç'ka ndodhur dhe ç'na bëri të ditur Zoti''. Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd. Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë. Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë. Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj. Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre. Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.