Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 2:1-15

Luka 2:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për shënimin e tërë popullsisë. Shënimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë. Të gjithë shkonin për t'u shënuar, secili në qytetin e vet. Edhe Jozefi, që ishte nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit, për t'u shënuar së bashku me Marinë, të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë. Ndërsa ndodheshin në Betlehem, i erdhën ditët për të lindur dhe lindi birin e saj të parëlindur. E mbështolli në pelena dhe e vuri në grazhd, se në bujtinë nuk kishte vend për ta. Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre. Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot. Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena e të shtrirë në grazhd». Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu: «Lavdi i qoftë Perëndisë në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i ka për zemër». Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti».

Luka 2:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë. Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kyreni ishte guvernatori i Sirisë. Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit, për t'u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë. Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë. Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta. Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre. Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe. Por engjëlli u tha atyre: ''Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t'ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd''. Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: ''Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!''. Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t'u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: ''Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç'ka ndodhur dhe ç'na bëri të ditur Zoti''.