Luka 19:36-44
Luka 19:36-44 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre. Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë. Ata thoshin: « Bekuar qoftë mbreti që vjen në emër të Zotit! Paqe në qiell e lavdi në lartësitë e qiejve!». Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin». Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin». Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».
Luka 19:36-44 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë. Dhe kur ai iu afrua teposhtës së Malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë, duke thënë: ''Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta''. Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: ''Mësues, qorto dishepujt e tu!''. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin''. Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të, duke thënë: ''Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu. Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët. Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s'do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar''.