Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 19:1-28

Luka 19:1-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet. Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur. Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës. Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge. Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde». Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar. Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar». Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish». Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit. Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur». Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast. Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”». Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem.

Luka 19:1-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet; dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur. Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati. Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej. Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: ''Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde''. Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim. Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: ''Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar''. Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: ''Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t'ia kthej katërfish''. Dhe Jezusi i tha: ''Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit. Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur''. Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë. Tha, pra: ''Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej. Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni derisa të kthehem". Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne". Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t'i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar. Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera"; dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogla, merr sundimin mbi dhjetë qytete". Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina"; dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete". Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami, sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë". Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë; përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?". Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina". Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina". Unë po ju them se atij që ka, do t'i jepet; por atij që s'ka do t'i hiqet edhe ajo që ka. Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!"''. Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.