Luka 16:1-18
Luka 16:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet: «Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë. Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç'është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestar i pasurisë”. Kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç'të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp. E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre”. Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”. Ai i tha: “Njëqind masa vaj”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë”. Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”. Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë”. Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, se kishte vepruar me zgjuarsi. Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t'ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara. Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë. Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t'jua besojë pasuritë e vërteta? Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t'jua japë atë që është juaja? Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë». Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin. Atëherë ai u tha: «Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë. Ligji e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdha. Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t'i hiqet ligjit qoftë edhe një pikë. Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Luka 16:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani ai u foli akoma dishepujve të vet: ''Ishte një njeri i pasur që kishte një administrator; këtë e paditën se po ia shkapërderdhte pasurinë e tij. Atëherë ai e thirri dhe i tha: "Ç'është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për ato që ke administruar, sepse ti nuk mund të jesh më administratori im". Dhe administratori tha me vete: "Ç'do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin? Të gërmoj, s'e bëj dot, dhe të lyp, më vjen turp. E di ç'do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre kur të hiqem nga administrimi". I thirri atëherë një nga një ata që i detyroheshin zotërisë së tij dhe i tha të parit: "Sa i detyrohesh zotërisë tim?". Ai u përgjigj: "Njëqind bato vaj". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt pesëdhjetë". Pastaj i tha një tjetri: "Po ti sa i detyrohesh?". Ai u përgjigj: "Njëqind kora grurë". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë". Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri, sepse bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës. Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t'ju mungojnë, t'ju pranojnë në banesat e përjetshme. Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë. Pra, në qoftë se ju nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t'ju besojë pasuritë e vërteta? Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit, kush do t'ju japë tuajën? Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njërin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit''. Dhe farisenjtë, të cilët ishin shumë të dhënë pas parasë, i dëgjonin të gjitha këto dhe e tallnin. Dhe ai u tha atyre: ''Ju jeni ata që e justifikoni veten përpara njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit është gjë e neveritshme para Perëndisë. Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty. Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji. Ai që lëshon gruan e vet dhe merr një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me një grua të lëshuar nga i burri, shkel kurorën''.