Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 15:1-32

Luka 15:1-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët po i afroheshin Jezuit për ta dëgjuar. Farisenjtë dhe shkruesit murmurisnin e thoshin: «Ky pranuaka mëkatarët e ha me ta». Atëherë Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Cili nga ju, nëse ka njëqind dele e njëra prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë për të kërkuar atë që ka humbur, derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e ngarkon mbi shpatulla i gëzuar. Pasi kthehet në shtëpi, mbledh miqtë e vet e të afërmit e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta delen që më kishte humbur”. Unë po ju them se kështu ndodh edhe në qiell. Aty ka më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen». «Ose, përsëri, nëse një grua ka dhjetë monedha argjendi dhe njëra i humb, a nuk shkon e ndez një kandil për të ndriçuar shtëpinë, që të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë? E pasi e ka gjetur, thërret shoqet e saj e fqinjat e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta monedhën që më kishte humbur”. Unë po ju them: kështu gëzohen edhe engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet». Pastaj Jezui tha: «Një njeri kishte dy djem. Më i vogli i tha të atit: “Atë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon”. Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve. Pas pak ditësh më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje. Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë. Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat. Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie. Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t'i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu”. Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë. Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë, se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin. Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle. Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte. Ai iu përgjigj: “Vëllai yt është këtu dhe yt atë theri viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë”. Atëherë ai u zemërua e nuk pranoi të hynte. I ati doli përjashta për t'iu lutur, por ai iu përgjigj: “Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi. Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja. Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”».

Luka 15:1-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar. Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: ''Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta''. Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë: ''Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t'i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretëtirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz; dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur. Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen. Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur". Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet''. Tha akoma: ''Një njeri kishte dy bij. Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë. Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur. Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall. Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat. Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria! Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t'i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje; nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu". U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi. Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt". Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi, sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe. Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç'ishte e gjitha kjo. Dhe ai i tha: "U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë". Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte. Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: "Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s'kam shkelur asnjë nga urdhrat e tu, e megjithatë kurrë s'më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi. Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur". Atëherë i ati i tha: "O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja. Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri"''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë