Luka 14:27-33
Luka 14:27-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kush nuk e mbart kryqin e vet për të ardhur pas meje, nuk mund të jetë dishepulli im. Kush nga ju, nëse dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të bëjë llogaritë për të parë a ka sa i duhen për ta mbaruar? Përndryshe, nëse i ka hedhur themelet e nuk është në gjendje ta përfundojë, ata që e shohin do të fillojnë ta tallin e do t'i thonë: “Ky njeri filloi të ndërtonte, por nuk qe i zoti ta mbaronte”. Ose, cili mbret, kur del në luftë për t'u ndeshur me një mbret tjetër, nuk ulet më parë të shqyrtojë a është i aftë që me dhjetë mijë veta t'i bëjë ballë atij që vjen me njëzet mijë? Atëherë, nëse nuk mundet, i dërgon një përfaqësi për t'i kërkuar kushtet e paqes ndërsa ai është ende larg. Prandaj, asnjëri nga ju nuk mund të bëhet dishepulli im nëse nuk heq dorë nga tërë pasuria që zotëron».
Luka 14:27-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im. Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? Që atëherë, kur t'i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen, duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë". Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë? Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe. Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.