Luka 14:16-24
Luka 14:16-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Por Jezui i tha: «Dikush shtroi një darkë të madhe e thirri shumë veta. Kur erdhi koha e darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t'u thoshte atyre që kishte ftuar: “Ejani, se çdo gjë është gati”. Por të gjithë, njëri pas tjetrit, filluan të gjenin shkaqe për të mos shkuar. I pari i tha: “Kam blerë një copë tokë e më duhet të dal e ta shoh. Të lutem më ndje!”. Dikush tjetër tha: “Unë kam blerë pesë pendë qe e po shkoj t'i provoj. Të lutem më ndje!”. Dikush tjetër tha: “Sapo jam martuar, prandaj nuk mund të vij”. E kështu shërbëtori u kthye dhe e njoftoi të zotin për të gjitha. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua e i tha shërbëtorit të vet: “Dil menjëherë në sheshet e në rrugët e qytetit e sill këtu të varfrit, të kërrusurit, të verbrit e të çalët”. Dhe shërbëtori i tha: “Zotëri, bëmë siç urdhërove dhe ka prapë vend”. Atëherë i zoti i tha shërbëtorit: “Dil nëpër rrugë e shtigje dhe detyroji njerëzit të hyjnë brenda, që të mbushet shtëpia ime”. Unë po ju them: asnjë nga ata që ishin të ftuar nuk do ta shijojë darkën time».
Luka 14:16-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Jezusi i tha: ''Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta; dhe, në kohë të darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t'u thotë të ftuarve: "Ejani, sepse gjithçka tashmë është gati". Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: "Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falësh". Dhe një tjetër tha: "Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t'i provoj; të lutem, të më falësh". Dhe një tjetër akoma tha: "Mora grua e prandaj nuk mund të vij". Kështu shërbëtori u kthye dhe ia dëftoi të gjitha zotit të vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, plot zemërim, i tha shërbëtorit të vet: "Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër". Pastaj shërbëtori i tha: "Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më". Atëherë zoti i tha shërbëtorit: "Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime. Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time"''.