Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 12:15-34

Luka 12:15-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij». Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë: «Toka e një pasaniku dha shumë prodhim. Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”. Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia. E do t'i them shpirtit tim: shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”. Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t'i mbeten?”. Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete e nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë». Jezui u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. Shikoni korbat! As mbjellin, as korrin, as kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët. Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsi si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat? Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini e mos u brengosni. Janë kombet e botës që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto. Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t'jua japë edhe ato. Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t'jua japë mbretërinë. Shitini pasuritë tuaja e jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen e mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë. Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj».

Luka 12:15-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj u tha atyre: ''Kini kujdes dhe ruhuni nga koprracia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron''. Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: ''Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme; dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: "Ç'të bëj, sepse nuk kam vend ku t'i shtie të korrat e mia?". Dhe tha: "Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t'i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera, dhe pastaj do t'i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo". Por Perëndia i tha: "O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?". Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë''. Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen; mirë, pra, ju vleni shumë më tepër se zogjtë. Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit? Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat? Vini re si rriten zambakët: ata nuk punojnë dhe nuk tjerrin; megjithatë unë po ju them se as Salomoni, në gjithë lavdinë e vet, nuk qe i veshur si një nga ata. Atëherë, nëse Perëndia vesh në këtë mënyrë barin që sot është në fushë dhe nesër hidhet në furrë, aq më tepër do t'ju veshë, o njerëz besimpakë? Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini, dhe mos jini në merak, sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to. Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t'ju jepen si shtesë. Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t'ju japë mbretërinë. Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren. Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj''.

Luka 12:15-34

Luka 12:15-34 ALBB