Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 12:1-34

Luka 12:1-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë, ndërsa mijëra njerëz ishin mbledhur turmë, aq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jezui filloi t'u fliste më parë dishepujve të vet: «Ruhuni nga tharmi i farisenjve që është hipokrizia. Nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s'do të merret vesh. Prandaj, çfarëdo që keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë e çfarë keni pëshpëritur me dyer të mbyllura, do të shpallet nga çatitë». «Miqtë e mi, unë po ju them: mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pastaj nuk mund të bëjnë asgjë më tepër. Ja cilin duhet të kini frikë: atë që pas vdekjes ka pushtetin t'ju hedhë në Gehenë. Po, po ju them, nga ky të keni frikë. A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? Megjithatë Perëndia nuk lë në harresë asnjërin prej tyre. Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela». «Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë. Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë. Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet. Kur t'ju dërgojnë para sinagogave, krerëve e pushtetarëve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni. Shpirti i shenjtë do t'ju mësojë se çfarë të thoni në atë çast». Pastaj dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua». Por Jezui i tha: «Kush më vuri mua gjykatës apo ndarës mes jush, o njeri?». Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij». Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë: «Toka e një pasaniku dha shumë prodhim. Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”. Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia. E do t'i them shpirtit tim: shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”. Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t'i mbeten?”. Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete e nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë». Jezui u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. Shikoni korbat! As mbjellin, as korrin, as kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët. Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsi si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat? Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini e mos u brengosni. Janë kombet e botës që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto. Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t'jua japë edhe ato. Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t'jua japë mbretërinë. Shitini pasuritë tuaja e jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen e mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë. Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj».

Luka 12:1-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërkaq u mblodh një turmë me mijëra, saqë shkelnin njëri-tjetrin. Jezusi filloi t'u thotë dishepujve të vet: ''Para së gjithash ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizia. Nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që nuk do të njihet. Prandaj të gjitha ato që thatë në terr, do të dëgjohen në dritë; dhe ato që pëshpëritët në vesh ndër dhomat e brendshme, do të shpallen nga çatitë e shtëpive''. Po ju them juve, o miq të mi, të mos keni frikë nga ata që vrasin trupin, por pas kësaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër. Unë do t'ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë: druani nga ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në Gehena; po, po ju them, nga ai të keni frikë. A nuk shiten vallë pesë harabela për dy pare? E megjithatë as edhe një prej tyre nuk harrohet përpara Perëndisë. Madje, edhe flokët e kokës janë të gjitha të numëruara; prandaj mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela. Dhe unë po ju them: Kushdo që do të rrëfeje për mua përpara njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë përpara engjëjve të Perëndisë. Por ai që do të më mohojë përpara njerëzve, do të mohohet përpara engjëjve të Perëndisë. Dhe kushdo që do të flasë kundër Birit të njeriut do të jetë i falur, por ai që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë, nuk do të jetë i falur. Pastaj, kur do t'ju çojnë përpara sinagogave, gjykatësve dhe autoriteteve, mos u shqetësoni se si ose se çfarë do të thoni për t'u mbrojtur, ose për çfarë do t'ju duhet të thoni, sepse Fryma e Shenjtë në po atë moment do t'ju mësojë se ç'duhet të thoni''. Atëherë dikush nga turma i tha: ''Mësues, i thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgiminë''. Por ai u përgjigj: ''O njeri, kush më vuri mua gjykatës ose ndarës përmbi ju?''. Pastaj u tha atyre: ''Kini kujdes dhe ruhuni nga koprracia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron''. Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: ''Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme; dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: "Ç'të bëj, sepse nuk kam vend ku t'i shtie të korrat e mia?". Dhe tha: "Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t'i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera, dhe pastaj do t'i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo". Por Perëndia i tha: "O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?". Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë''. Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen; mirë, pra, ju vleni shumë më tepër se zogjtë. Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit? Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat? Vini re si rriten zambakët: ata nuk punojnë dhe nuk tjerrin; megjithatë unë po ju them se as Salomoni, në gjithë lavdinë e vet, nuk qe i veshur si një nga ata. Atëherë, nëse Perëndia vesh në këtë mënyrë barin që sot është në fushë dhe nesër hidhet në furrë, aq më tepër do t'ju veshë, o njerëz besimpakë? Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini, dhe mos jini në merak, sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to. Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t'ju jepen si shtesë. Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t'ju japë mbretërinë. Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren. Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj''.