Luka 11:6-13
Luka 11:6-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t'i vënë përpara”. E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t'i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t'i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij. Dhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. A ka ndër ju ndonjë atë që do t'i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t'i jepte një akrep? Nëse ju që jeni të këqij, dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t'ua japë prej qiellit Shpirtin e shenjtë atyre që ia kërkojnë!».
Luka 11:6-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s'kam çfarë t'i vë përpara"; dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t'i jap"? Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t'ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t'i japë të gjitha bukët që i nevojiten. Prandaj po ju them: Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet. Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t'i hapet atij që troket. Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t'i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t'i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër? Ose, po t'i kërkojë një vezë, i jep një akrep? Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t'u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë''.