Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 10:25-37

Luka 10:25-37 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë një mësues i ligjit u ngrit për ta vënë në provë Jezuin e i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligj? Çfarë lexon atje?». Ai iu përgjigj: « Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje të afërtin si veten ». Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh». Por ai, meqenëse donte t'i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është i afërti?». Jezui iu përgjigj: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur. Rastësisht një prift po zbriste asaj rruge dhe, kur e pa, kaloi në anën tjetër. Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër. Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të. Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të. Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër”. Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “i afërti” për atë që ra në duart e kusarëve?». Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë». Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!».

Luka 10:25-37 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: ''Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''. Dhe ai tha: ''Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?''. Ai duke u përgjigjur tha: ''Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten''. Jezusi i tha: ''U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh''. Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: ''Po kush është i afërmi im?''. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Një burrë zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur. Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër. Por një samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri. Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të. Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç'të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem". Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?''. Dhe ai tha: ''Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij''. Atëherë Jezusi i tha: ''Shko dhe bëj kështu edhe ti''.