Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 10:1-23

Luka 10:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas këtyre gjërave, Zoti caktoi shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi përpara dy nga dy në çdo qytet e në çdo vend ku do të shkonte ai vetë. Dhe u tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat mes ujqve. Mos merrni me vete as para, as trastë, as sandale. Udhës mos përshëndetni askënd. Në cilëndo shtëpi të hyni, së pari thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. Nëse dikush aty është bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet te ju. Qëndroni në atë shtëpi dhe hani e pini çfarë t'ju shtrojnë para, sepse punëtori ka të drejtë të shpërblehet. Mos u endni nga një shtëpi në tjetrën. Në çdo qytet ku të hyni e t'ju mirëpresin, hani çfarë t'ju vënë para, shëroni të sëmurët që gjenden aty e u thoni: “Mbretëria e Perëndisë është pranë jush”. Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni: “Edhe pluhurin e qytetit tuaj, që na është ngjitur këmbëve, po jua shkundim. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër”. Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet». «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi. Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë, se ju në ditën e gjykimit. Po ti, Kafarnaum, mos vallë do të lartësohesh deri në qiell? Në skëterrë do të plandosesh. Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua e kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar». Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim e i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!». Jezui u tha: «E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe. Ja, ju kam dhënë pushtet të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t'ju bëjë keq. Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell». Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i shenjtë e tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë». Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve e u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju!

Luka 10:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte. Dhe u thoshte atyre: ''E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet. Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve. Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës. Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi". Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju. Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t'ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër. Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t'ju vënë përpara. Dhe shëroni të sëmurët që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar". Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni: "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar". Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet. Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse, po të ishin bërë në Tiro dhe në Sidon mrekullitë që u bënë te ju, ata prej kohësh do të kishin bërë pendesë duke u veshur me thasë dhe duke u ulur në hi. Prandaj ditën e gjyqit Tiro dhe Sidoni do ta kenë më lehtë se ju. Dhe ti, Kapernaum, që të kanë ngritur deri në qiell, do të poshtërohesh deri në ferr. Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar''. Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: ''Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd''. Dhe ai u tha atyre: ''Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe. Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t'ju dëmtojë. Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej''. Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frymë dhe tha: ''Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu. Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t'ia zbulojë''. Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: ''Lum sytë që shohin ato që shihni ju